Disa nga kamionët me mallra serbe janë ndaluar të hyjnë në Kosovë për shkak të emërtimeve jokushtetuese ndaj shtetit të Kosovës. Nga Ministria e Jashtme thonë se Serbia po bllokon kamionët e Kosovës që nga 30 marsi.
Pas heqjes së tarifës ndaj produkteve serbe dhe vendosjes së masave të reciprocitetit, Gazeta Express ka mësuar se transportuesit e Kosovës nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Doganave, Ibrahim Xhaka, ka thënë se kamionët e Kosovës po kanë vështirësi për të hyrë në Serbi, kryesisht për shkak të targave.
“Është e vërtetë që kamionët e Kosovës po kanë probleme për të hyrë në Serbi. Sepse kërkojnë që të kenë targa ose me KS, ose të jenë nga vendet e tjera”, ka thënë Xhaka për T7.
Kreshnik Ahmeti, Shef i Stafit të kryediplomatit Glauk Konjufca, ka shkruar se nga 30 marsi, Serbia po i mban të bllokuar kamionët e Kosovës.
“Përderisa Republika e Kosovës e ka larguar tarifën 100% në raport me Serbinë, kjo e fundit që nga 30 marsi po i mbanë të bllokuar në kufi kamionët tregtar nga Republika e Kosovës, të cilët nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë”, ka shkruar Ahmeti.
Nga mesnata, me vendim të Qeverisë Kurti, është hequr tërësisht tarifa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, për t’u vendosur masat e reciprocitetit.
Ka filluar hyrja e kamionëve me mallra nga Serbia, ndërsa edhe Kosova ka ndalur disa prej tyre për shkak se nuk iu janë referuar shtetit të Kosovës me emërtim kushtetues.
“Për momentin një maune është në procedurë kthimi pasi nuk ka pasur certiifikatë fitosanitare dhe në mungesë të dokumentacionit është kthyer”, kanë thënë nga Dogana për T7.