Këshilltarja komunale e Kuvendit të Prishtinës, Berna Saraçi është kthyer sërish në Lëvizjen Vetëvendosje pas vetëm 20 ditë në Partinë Demokratike të Kosovës ku shkoi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo në një seancë të Kuvendit Komunal të Prishtinës kishte hedhur akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se ndaj saj është ushtruar dhunë verbale e psiqike, e se është ofenduar e denigruar për shkak të vendimit të saj.
Teksa fliste për vendimin e saj për të kaluar në PDK, ajo thoshte se reagimi ka qenë ekstrem.
“Unë mendoj që reagimi ndaj vendimit tim ka qenë ekstrem, është ushtru dhunë verbale dhe psiqike ndaj një njeriu sepse e ka marrë një vendim të vetin, por uroj që atyre t’iu punojë ndërgjegja sepse mendoj që edhe në politikë ka mirësjellje e ndërgjegje. Në të njëjtën kohë duhna me qenë korrekt me disa anëtarë të ish-partisë që më kanë qëndruar afër. Në të njëjtën kohë deklaroj se ky vendim ka pasë bazë dhe arsye, është bërë me vullnet të plotë dhe nuk ka asnjë akuzë që qëndron e që më është bërë. Nëse dikush ka ndonjë dyshim se kjo ka ndodhur për pazare politike, iu ftoj të hetoni rastin.”, kishte deklaruar Saraçi.
Ajo kishte thënë se është ofenduar, linçuar e denigruar për vendimin e saj, nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Si përfundim, uroj të jem rasti i fundit që linçohet e denigrohet në këtë mënyrë në çfarëdo fushe e sfere në shtetin tonë sepse një njeri ka guxu me marrë një vendim për veti dhe nuk është ashtu siç po e mendojnë.”, kishte thënë ajo.
Sot, Saraçi është parë në vizitë te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me bashkëpartiakët e saj, Gëzim Sveçla dhe Arianit Beqiri.