Gjermania, Franca dhe Italia kanë treguar dhëmbët në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Tri fuqitë e mëdha të BE-së që kanë marrë rol shumë aktive në këtë proces ua kanë kujtuar Kosovës dhe Serbisë obligimet që kanë në këtë proces.
Ajo që po shihet si shumë pozitive në komunikatën e përbashkët të lëshuar pas takimit që liderët e këtyre vendeve kanë pasur me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksander Vuçiq, janë kërkesat eksplicite për Serbinë.
Treshja e madhe për herë të parë zyrtarisht ia ka kërkuar Serbisë njohjen de-facto të Republikës së Kosovës.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, gjithashtu kanë kërkuar që edhe Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”, është thënë në komunikatën e përbashkët të tre liderëve evropianë.
Në komunikatë thuhet se janë marrë parasysh komentet e palëve që kanë shprehur në takimet me liderët evropianë të enjten në Bruksel.
Aty përmendet edhe draft-statuti për asociacion që është prezantuar në Prishtinë dhe Beograd nga pesëshja e madhe.
“Kemi marrë parasysh komentet e bëra nga të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë për statutin evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për zbatim. Draftstatuti që kemi prezantuar dhe e shtyjmë përpara plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për ta trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”, është thënë në komunikatë.
Më tej, bëhet e ditur se Gjermania, Franca dhe Italia presin që të dy palët t`i përmbushin obligimet e tyre.
“Prandaj, edhe një herë nënvizojmë pritshmërinë tonë nga palët që t’i jetësojnë zotimet e tyre për zbatim të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit. Faza implementuese duhet të avancojë me të dyja palët që kryejnë detyrimet e tyre paralelisht në mënyrë që hap pas hapi, bazuar në parimin që të dyja palët të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi duhet të jetë tani në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes, pa parakushte apo vonesa”, thuhet në letër, duke shtuar se nëse palët nuk i respektojnë obligimet rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme.
Qëndrimi i tri vendeve evropiane të shprehur në këtë komunikatë është mirëpritur në Kosovës.
Politologu Agon Maliqi ka thënë se kjo deklaratë është shumë pozitive për Kosovën.
“Deklarata e përbashkët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë është mjaft pozitive në përmbajtje për Kosovën. Për herë të parë zyrtarisht kërkesa ndaj Serbisë formulohet si “njohje de-fakto” dhe ajo efektivisht ndërlidhet si hap paralel me asociacionin. Letra gjithashtu rithekson se prej Kosovës si hap i parë nuk po kërkohet themelimi i asociacionit, por nisja e procesit. Prej nisjes e deri te verifikimi i statutit prej GJK (hap të cilin e theksoi edhe Kurti), e deri te themelimi, ka kohë të mjaftueshme për ta mbajtur Vuçiqin nën kontroll nëse po e zbaton hapin e vet. Kosova duhet ta heq topin e nxehtë nga oborri i vet dhe ta hedh atë në oborr të Beogradit”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka vlerësuar se Kosova duhet ta shfrytëzoj këtë mundësi.
“Kërkesa prej tre shteteve drejt Kosovës është që në këtë drejtim “formalitetet e miratimit të marrëveshjes” (lexo: nënshkrimi) nuk duhet të kthehet në pengesë. Kurti duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi. Nuk e ka Kosova luksin për t’u trajtuar si pala penguese e një marrëveshjeje të cilën vetë po e quan të mirë”, ka shkruar ai.
As Kurti nuk flet për përmbajtjen e draftit
Në komunikatë e tri vendeve evropiane nuk jepen hollësi për draftin modern të BE-së për Asociacionin.
As kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar të flasë për përmbajtjen e draftit modern të BE-së.
Në një konferencë që ka mbajtur të premten, pas mbledhje së Qeverisë, ai ka thënë se është kërkesë e pesësh së madhe që të mos flitet për përmbajtjen.
“Ne e respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, derisa të na kërkohet që të mos flasim konkretisht për të. Por, më e rëndësishmeje është që emisarët kanë deklaruar që e kanë shkruar me kujdes duke pasë parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dileme gjithnjë do ta jep Gjykata Kushtetuese. Për bindjen tonë të fuqishme, vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë, nuk do të duhet asnjëherë të harrojë se sa shumë tashmë ka bërë Republika e Kosovës për serbët në Kosovë, të drejtat të cilat janë të pashembullta edhe në vet Evropën, ndërkohë që kemi dëgjuar shpesh se flitet për model evropian të zgjidhjes”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se propozimi parasheh që vlerësimin për të ta jep Gjykata Kushtetuese.
“Në takimit e 21 tetorit nga emisarët amerikan dhe evropian na është thënë se drafti për vetemenaxhim që e kanë sjell është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhet aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë. Pra, që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.