I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës javën e kaluar në Kosovë është takuar edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe familjen e heroit Afrim Bunjaku.
Policia njoftoi se Escobar i ka shprehur ngushëllime familjes Bunjaku.
“Escobar në prani të Ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier, dhe Atasheut të DOJ-ICITAP-it Kimberly Riffe, shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta familjes për humbjen tragjike të babait/bashkëshortit të tyre. Ngjarja ishte shumë emocionuese dhe e përzemërt dhe personalitetet e larta i shprehën ngushëllimet e tyre familjes dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Në takim me Hoxhën, Escobar është informuar për sulmin ndaj Policisë në Banjskë ku u vra rreshteri Bunjaku dhe për situatën aktuale të sigurisë.
“Në një takim të veçantë, Hoxha informoi Escobarin dhe atasheun Riffe për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, dhe situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Escobar vlerësoi mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt më kreun e Policisë së Kosovës. Hoxha përcolli mirënjohjen e tij të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe stafin e shumtë të ambasadës që ndihmojnë policinë dhe janë të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer”, thuhet tutje në njoftim.