I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të enjten [sot] do të takohet me përfaqësuesit e opozitës në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovienier.
Burimet e KOHËS kanë konfirmuar se Escobari do të shtrojë darkë për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke filluar nga ora 18:00.
I ftuar në takim është edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, por gjendet jashtë shtetit. Nuk dihet nëse AAK-ja do ta dërgojë ndonjë përfaqësues në takim.
Escobari pritet që nesër të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Escobar qëndroi të mërkurën në Serbi ku u takua me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit e opozitës pro-evropiane.
Takimet e të dërguarit të SHBA-së vijnë dy ditë para takimit të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti e Vuçiq do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Para Escobarit, të dyja vendet i vizitoi edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë sot se janë të fokusuar në zbatimin e Planit evropian, pasi siç thotë ai, palët janë dakorduar për marrëveshjen.