I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak do të qëndrojnë sot pasdite për vizitë në Prishtinë.
Ardhjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili në një konferencë për media tha se vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd është për vazhdim të mbështetjes së dialogut.
Gjatë kësaj vizite Escobar pritet të takohen me krerët e shtetit dhe liderët e partive opozitare në vend.
Me liderët e partive opozitare, Escobar do të zhvillojë një darkë pune e cila organizohet nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Pjesëmarrjen në këtë darkë e kanë konfirmuar për Telegrafin nga PDK dhe AAK.
“Po kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi do të marrë pjesë në darkën e punës me z.Escobar e cila do të mbahet pasdite”, kanë deklaruar nga PDK.
Prezent do të jetë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Po, Haradinaj merr pjesë në një darkë që organizohet në nder të z.Escobar nga ambasadori Hovenier”, kanë konfirmuar për Telegrafin nga AAK.
Ndërkaq nga LDK nuk janë përgjigjur nëse kryetari Lumir Abdixhiku do të marr pjesë në këtë darkë.
Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiq, në Bruksel.