I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sa i përket çështjes së dinarit.
Pas takimit të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, emisari amerikan deklaroi për mediet se kryeministri kosovar i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb.
Ai tha se askush nuk mund të preket kur dëgjon se si pjesa më e cenueshme e shoqërisë nga komuniteti serb nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë.
“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot”, tha Escobar.
Emisari amerikan tha se SHBA-ja mbetet parnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës. Por, tha se çështja e dinarit paraqet sfida në raportet me Kosovën.
“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë”, tha Escobar.
Ai ka thënë se ka dëgjuar rrëfimet e qytetarëve serbë të Kosovës, për sfidat me të cilat po përballen nga Rregullorja e re e BQK-së.
“Janë ata anëtarët më të cenueshëm, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe studentët. Jam prekur nga rrëfimet e tyre se si vendimi i ka prekur ata. Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shohë disa nga propozimet që ia kam bërë atij sot”, ka thënë Escobar.
Zyrtari amerikan tha se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile gjatë një takimi të dialogut të martën e ardhshme për këtë çështje, pa dhënë më shumë detaje.