Escobar nuk flet për dialogun, shpreh mbështetjen amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, njëherësh i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë sot se vizita e tij në Prishtinë ishte formë mbështetje për aspiratat euroatlantike të Kosovës.

Këto komente Escobar i bëri në një konferencë për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

Emisari i SHBA-ve shtoi se do të vazhdojnë të mbështesin pjesëmarrjen e Kosovës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Erdha të shpreh mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe për solidaritetin në kohë krize në Kosovë dhe mënyrat për ta thelluar këtë partneritetin përfshirë edhe mbështetjen tonë për pjesëmarrjen e Kosovës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Escobar.

Escobar shtoi se Kosova ka kontribuuar shumë në agjendën e tyre të përbashkët.

“Jam krenar të them që Kosova ka kontribuar shumë në agjendën tonë të përbashkët dhe mendoj se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikator i rëndësishëm sesi Kosova po kontribuon në mënyrë pozitive për agjendën e përbashkët të demokracisë dhe lirisë”, u shpreh ai.

Escobar dhe Osmani nuk kanë pranuar pyetje nga gazetarët të cilët ishin të pranishëm në konferencë, duke mos dhënë kështu detaje të tjera rreth dialogut Kosovë-Serbi.