I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar janë detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që kanë për t’i zbatuar ato.
Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draftstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëriti se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.
I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, Escobar ka thënë për “Zërin e Amerikës” se deklaratat nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar sipas tij.
Po kështu ai ka shtuar se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit; Kosova Asociacionit dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera gjëra si këto.
Zyrtari amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.
I pyetur lidhur me dorëheqjen e shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA) Aleksandar Vulin, Escobar ka thënë se ai ka qenë një figure jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.
Lidhur me komentet e Aleksandar Vulinit se ai dha doqëheqjen pasi Uashingtoni dhe Brukseli po e kërkonin një gjë të tillë si parakusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë, Escobar ka thënë se “ne (SHBA) nuk marrim vendimeve në emër të qeverisë serbe”.
Po sot, kryeministri Kurti duke raportuar në Kuvend për takimin e fundit në Bruksel përsëriti qëndrimin e tij se “vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim”.
Javën e shkuar, Kurti u shpreh i gatshëm të nënshkruante pakon që përfshinte Marrëveshjen Bazë, Aneksin e Zbatimit dhe draftin e statutit të Asociacionit, të propozuar nga pesëshja perëndimore. Kurti akuzoi Serbinë se ka refuzuar nënshkrimin.
Pas takimeve, liderët evropianë dolën me kërkesë që Kosova ta nisë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e Serbia ta jetësojë njohjen de-facto të Kosovës.