Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për masat që Amerika i ka marrë ndaj Kosovës.
Ai tha se Kosova është përjashtuar nga “Defender 23”, si rezultat i njëanshmërisë, teksa shtoi se po vazhdojnë të kërkojnë rrugën për partneritet me Kosovën, si një nga aleatët më të afërt të ShBA-së në rajon.
“Duhet të themi se jemi të shqetësuar për mungesën e koordinimit që shkon jo me Shtetet e Bashkuara, por me të gjithë komunitetin transatlantik. Pra, kjo përfshin Britaninë e Madhe, BE-në, NATO-n, Quint-in dhe fqinjët e saj, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut”.
“Pra, ne po kërkojmë në mënyrë aktive për mënyrën se si mund ta bindim qeverinë që t’i shohë përsëri Shtetet e Bashkuara si partnerin e saj kryesor në rajon dhe që bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të jetë vetëm në dobi të Kosovës”, tha Escobar, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai foli për një zgjidhje mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se “nëse kemi vullnet të mirë nga palët, ekzistojnë zgjidhjet”, duke e përmendur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si një nga to.