Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ndërkombëtarët duhet të kishin insistuar më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe se në përafrimin e palëve.
Escobar ka theksuar se Asociacioni është çështja më e vështirë për Kosovën, prandaj ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal drejt tij fillimisht.
“Ne duhej të insistonim më shumë në implementimin e plotë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, se në ndërmjetësimin që të dyja palët të bëhen bashkë, sepse në disa raste e kemi vërejtur mungesën e vullnetit të mirë nga të dyja palët. Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është kyç për Kosovën. Është më i vështiri dhe si më i vështiri ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal të vullnetit të saj për të adresuar çështjen e minoritetit serb në territorin e saj”, ka thënë ai në një intervistë për Qendrën në Evropë të Këshillit Atlantik.
Escobar ka theksuar se Kosova duhet ta pranojë propozimin evropian për Asociacionin dhe t’i hapë me këtë rrugë SHBA-së për të lobuar për njohje të reja.
“Nga perspektiva e Amerikës, për shkak se rruga e BE-së përfshinte pjesë të Asociacionit në çdo hap, ne besojmë se me pranimin e propozimit evropian, përmes procesit evropian që është dialogu dhe një marrëveshje që garantohet nga BE-ja, do t’i jepte palës amerikane një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane për të thënë se Kosova ka bërë gjithçka që ka kërkuar BE-ja dhe për të kërkuar për njohje të reja. Pa këtë, ne nuk kemi shumë material me të cilin mund të punojmë”.