I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po takojnë në Mitrovicën e Veriut kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri: Millan Radojeviq, Dragisha Milloviq, Zoran Todiq dhe Sërgjan Vulloviq.
Në takim po merr pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Escobar dhe Lajçak ndodhen në Kosovë që nga 23 gushti. Ata kanë takuar tashmë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.
Qëllim i vizitës së tyre është thënë të jetë evitimi i përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.
Disa serbë atje janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada më 31 korrik, pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për riregjistrimin e makinave të tyre me targa të Kosovës, si dhe për lëshimin e dokumenteve të Kosovës për të gjithë serbët që hyjnë në Kosovë.
Pas tensionimit të situatës dhe sugjerimit të bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimeve të saj për 1 shtator.
Escobar tha pas takimit me udhëheqësit institucionalë dhe të partive opozitare se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe të dokumenteve serbe.
Ai tha se është siguruar se askush nuk dëshiron përshkallëzim të situatës apo dhunë më 1 shtator. Lajçak e tha të njëjtën gjë.
Përfaqësuesit e serbëve nga katër komunat e veriut të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – miratuan të mërkurën një deklaratë, përmes së cilës, paralajmëruan braktisjen e mundshme të institucioneve të Kosovës, nëse nuk gjendet zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje.
Ata thanë se ia kanë lënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “ta zgjidhë çështjen me kompromis”.
Gjithashtu të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një konferencë për media se targat KS – neutrale ndaj statusit të Kosovës – nuk mund të kthehen, ashtu siç kërkon Beogradi.
Ai përsëriti se automjetet me këto targa do të duhen të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës.
Sa u përket dokumenteve për hyrje/dalje, Kurti tha se alternativa më e mirë do të ishte heqja e plotë e tyre, si për qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi, ashtu edhe për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë.LEXONI EDHE KËTË:Kurti: Targat KS nuk kthehen, reciprocitet për dokumente
Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë sot për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.LEXONI EDHE KËTË:Petkoviq reagon ndaj deklaratave të Kurtit
Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.