Elbasan Rashani nuk ia ka dalë të jetë gati për ndeshjet e muajit mars me Kosovën.
Sulmuesi kosovar është i lënduar dhe nuk ka arritur të jetë gati që të vije në grumbullim me Dardanët për dy sfidat ndaj Izraelit dhe Andorrën.
Ka qenë vet Rashani që ka konfirmuar për Telegrafin se do të mungojë, teksa i ka uruar shumë suksese shokëve të Përfaqësueses.
Por vendin e tij do ta zë Ermal Krasniqi dhe këtë e ka kuptuar Telegrafi.
Sulmuesi malishevas po kalon formë të mrekullueshme te Cluj në Rumani ku në afatin kalimtar të janarit u transferua nga Ballkani.
Krasniqi ka marrë ftesën dhe ka qenë në listën e pritjes nga trajneri Alain Giresse.
Por pas lëndimit të Rashanit, Krasniqi pritet të grumbullohet nga trajneri Giresse dhe të jetë nën urdhrat e francezit për sfidat ndaj Izraelit dhe Andorrës.
Krasniqi ka luajtur 90 minuta të dielën në sfidën Cluj – Rapid Bucuresti dhe tanimë ka marrë rrugë për në Kosovë.
24-vjeçari kishte disa ditë të lira, por nuk do t’i shfrytëzojë ditët e lira pasi ai pritet të vihet menjëherë të hënën nën urdhrat e trajnerit Giresse.
Ish-sulmuesi i Ballkanit, Ferizajt, Llapit, Malishevës e Feronikelit ka shkëlqyer te Cluj, ku në 10 ndeshjet e para në kampionat ka shënuar katër gola e ka asistuar në një tjetër.