Erdogan: Turqia nuk do të ndalet edhe përkundër kërcënimeve

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha të shtunën se Turqia nuk do të ndalojë përkundër kërcënimeve për sa i përket vendosjes së sanksioneve dhe ndaj sulmeve të mundshme që mund ta pësojë vendi në Detin Mesdhe.

“Asnjëherë ne nuk do t’i përkulemi këtyre masave në raftin tonë kontinental”, u shpreh Erdogan, shkruan Anadolu.

“Ne nuk do të tërhiqemi edhe përkundër kërcënimeve të caktuara”, potencoi ai, duke shtuar se anija e vendit “Oruc Reis” do të vazhdojë kërkimin e burimeve natyrore deri më 23 gusht.

Reagimi i tij vjen pasi tensionet midis Turqisë dhe Greqisë mbi Mesdheun Lindor janë duke u rritur kohëve të fundit.

Marina franceze dhe greke zhvilluan një stërvitje të përbashkët ushtarake të enjten si një sinjal drejt Turqisë për mosmarrëveshjen për të drejtat për shfrytëzimin e rezervave të gazit dhe të naftës.

Presidenti Erdogan paralajmëroi nga ana e tij se kushdo që do të sulmojë anijen eksploruese turke do të paguajë “rëndë”.

Anija eksploruese turke “Oruc Reis” filloi punën të hënën. Ajo shoqërohet nga anije luftarake turke.