Erdogan thotë se duan rritjen e njohjeve për Kosovën: Do t’i diskutojmë këto çështje edhe me Presidentin Biden

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, ka shprehur angazhimin e tij për të punuar në rritjen e numrit të shteteve që njohin Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur vet ai, në një konferencë për shtyp, të cilën e mbau para vizitës në Republikën Turke të Qipros së Veriut, përcjell klankosova.tv.

”Për Kosovën duam të rrisim numrin e njohjeve, i cili aktualisht është 114, edhe më shumë”, është shprehur Erdogan.

Siç shkruan Reuters, ai tutje ka shtuar se për njohjen e Kosovës do të diskutojë edhe me presidentin e SHBA-ve, Joe Biden.

”Ne do t’i diskutojmë këto çështje në takimin tim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB këtë vit. Le të punojmë së bashku për njohjen e Kosovës. Unë do t’ua propozoj këtë atyre”, u shpreh Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.