Studime nga hulumtues në Londër kanë gjetur se COVID-19 ka mundur të përhapej qysh në vjeshtën e 2019-s.
Për këtë edhe në Kosovë po vlerësohet se numri i saktë i personave që e kanë kaluar sëmundjen e COVID-19 mund të jetë përcaktues i valës eventuale të dytë që mund ta godasë Kosovën.
Epidemiologët këtë e shohin si tejet të rëndësishme që të nisin menjëherë testimet serologjike dhe vlerësojnë se Kosova është vonuar në këtë aspekt, raporton KOHA.
“Duhet sa më shpejt të nisë testimi, sepse është në interesin e qytetarëve. Është me rëndësi të bëhen këto teste që do ta konstatojnë sa e kanë kaluar apo jo virusin edhe për të pasur një pasqyrë për numrin e përqindjes së afërt të atyre që e kanë kaluar. Gjithashtu këto teste munden të na tregojnë nëse kemi pasur raste të mëhershme me koronavirus”, ka thënë mikrobiologu Lul Raka.
Për këto teste Organizata Botërore e Shëndetësisë është në diskutim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike që gjatë muajit qershor, eventualisht në korrik, të nisin realizimin e tyre.
Sipas Isme Humollit, drejtoreshë e OBSH-së në Kosovë, kostoja financiare nuk do të duhej të vinte në pikëpyetje realizimin e këtyre testeve.
Nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim kanë thënë se pas përfundimit të valës së parë të pandemisë institucionet do të shqyrtojnë opsionet e tjera që mund të ndihmojnë për të kuptuar shkalën e shtrirjes së infeksionit në popullatë dhe parandalimin e përhapjes së gjerë.
Sipas MSh-së, në këtë fazë aktualisht janë duke u kryer testimet me RT-PCR për grupet me prioritet, si tek të dyshuarit, kontaktet e tyre, personat e hospitalizuar në Klinikën Infektive dhe grupet më të ndjeshme, si të prekurit nga sëmundjet kronike.