Elshani, PDK: Nuk kanë të drejtë morale të thirren në Kushtetutë shkelësit e katërfishtë të saj

Arianit Elshani, përfaqësues i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka komentuar në rrjetin e tij social për përpjekjet e Kurtit dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje që ta interpretojnë Kushtetutës sipas leverdisë dhe interesit të tyre. Sipas tij ata “janë duke i dhënë vetes atributet e një gjykate kushtetuese ndërkohë që vetë janë shkelësit e njëpasnjëshëm të katërfishtë të kushtetutës’.

Në postimin e tij në facebook ai radhiti katër shkeljet e Kushtetutës që janë dy vendimet për masat kufizuese të lirive themelore me rastin e koronavirusin, vendimin e ministrit Bislimi për pakon emergjente që anashkalon kuvendin si dhe vendimi për telekomin që shkel parimet e ekonomisë së tregut që mbrohen nga kushtetuta. Prandaj thekson Elshani që Kurti dhe zyrtarët e partisë së tij duhet të tregojnë pendesë e jo të flasin me vetëbesim të madh se si duhet të interpretohet kushtetuta për rastin e veprimeve të presidentit.

Postimi i plotë i Elshanit në rrjetet sociale është :

Me çfarë të drejte kryeministri i shkarkuar Kurti dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje shiten si autoritet suprem të interpretimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kur brenda pak javësh e kanë shkelur katër herë radhazi? Për shumë ditë me radhë i kemi dëgjuar duke folur në ekrane se si duhet të interpretohet kushtetuta e duke bërë presion ndaj presidentit se si sipas tyre duhet të veprojë ai. Pra janë duke i dhënë vetes atributet e një gjykate kushtetuese ndërkohë që vetë janë shkelësit e njëpasnjëshëm të katërfishtë të kushtetutës.

Shkeljen e 1-rë, e bënë në datën 23 Mars 2020 me vendimin e qeverisë për masat që kufizonin liritë. Gjykata Kushtetutese tashmë e dha akt-gjykimin për këtë çështje duke e paraqitur si shkelje e Kushtetutës që kishte kufizuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

Shkelja e 2-të ishte në 2 prill kur ministri i shkarkuar Bislimi miratoi një pako emergjente të paligjshme duke ditur që Kushtetuta njeh vetëm parlamentin si institucionin që ka komnpetencë për të vendosur për buxhetin.

Shkelja e 3-të ishte vendimi i Qeverisë në ikje për heqjen e procedurave të prokurimit për Telekomin duke e shndërruar këtë kompani në monopol shtetëror pas emërimit të bordit me militantë partiak, e duke nëpërkëmbur ekonominë e tregut dhe konkurrencën e lirë që garantohen me Kushtetutë.

Shkelja e 4-t ishte vendimi i ministrit të shkarkuar Vitia, i nëpërmjet vendimit të ri për masat anti-koronavirus, shkeli sërish jo vetëm Kushtetutën por edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pra 4 shkelje të njëpasnjëshme dhe kryeministri i shkarkuar, jo vetëm që nuk pendohet por ka pafytyrësinë të flasi gjithë “vetë-besim” se si duhet interpretuar kushtetuta. Sot ky shkelës i katërfishtë i Kushtetutës dhe partia e tij kanë më së paku të drejtë morale për të folur për interpretimin e Kushtetutës.