Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Klankosova.tv, se kjo zyrë, ka njoftuar me kohë subjektet politike lidhur me përgjigjet që kanë pranuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe për mundësinë e ndërrimit të kandidatëve të cilët figurojnë në listën e këtij institucioni.
”Zyra ka njoftuar me kohë subjektet politike lidhur me përgjigjet që kemi pranuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe për mundësinë e ndërrimit të kandidatëve të cilët figurojnë në listën e këtij institucioni se kanë së paku një vendim të formës së prerë për vepër penale nga gjykata në tri vitet e fundit, që ia pamundëson certifikimin si kandidat”.
”Në fund do ta kemi të qartë se sa nga subjektet politike kanë shprehur vullnetin për të zëvendësuar kandidatët dhe nëse ndonjë nuk e ka shfrytëzuar këtë. Duke filluar nga dita e nesërme, e enjte, KQZ-ja do të fillojë procesin e certifikimit të kandidatëve të subjekteve të ndryshme politike. Besojmë se brenda disa ditësh do të përmbyllet ky proces”.
Sipas tij nga 160 emra të cilët figurojnë në listën e KGjK-së, 3 prej tyre kanë kërkuar nga KQZ-ja të certifikohen si kandidatë në zgjedhjet për Kryetar Komune, ndërsa 157 të tjerë në zgjedhjet për Kuvende Komunale.