Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), përmes ministrit Elbert Krasniqi, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe Kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Lokale Sport Marketing, Bardh Krasniqi.
Kallëzimi penal lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke u bazuar në nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dokumentit që ka siguruar Telegrafi, i cili është dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Republikës së Kosovës, kallëzimi penal ka të bëjë me një vendim të marrë më 2 tetor 2024 nga Kryetari i Komunës së Prishtinës.
Vendimi në fjalë i ka dhënë Ndërmarrjes Publike Lokale Sport Marketing detyrën për të organizuar tregun veror dhe dimëror në Prishtinë, përkatësisht “Akull N’verë” dhe “Verë N’dimër.”
Ky vendim është vlerësuar si i paligjshëm nga MAPL, pasi nuk ka kaluar për shqyrtim të ligjshmërisë brenda afateve të përcaktuara ligjore.
“Me datë 22.10.2024, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka vlerësuar se vendimi është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Sipas të njëjtit, Kryetari i Komunës së Prishtinës ka lejuar hyrjen në fuqi të vendimit pa kaluar afati për vlerësimin e ligjshmërisë nga MAPL”, thuhet në kallëzimin penal.
MAPL ka deklaruar se veprimet e ndërmarra nga Kryetari i Komunës dhe Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike kanë sjellë përfitime të padrejta për një operator ekonomik privat, konkretisht për kompaninë Momo Caffe and More Shpk.
“Ndërmarrja Sport Marketing, nënshkruan kontratë me një operator ekonomik, në këtë rast Momo Caffe and More Shpk, në Prishtinë për organizimin e tregut veror dhe dimëror në periudhën prej pesë vitesh me çmimin prej 4900 euro për një shtëpizë. Ashtu siç e parasheh kontrata, atëherë kur ndërmarrja ndërprenë kontratën, si dëmshpërblim do të paguajë 50% të shumës së mbetur nga kontrata. Në rrethanat e këtilla të paligjshmërisë, ky është rezultati që kërcënon Komunën si autoritet publik dhe njëkohësisht buxhetin e Komunës i mbledhur nga taksat e qytetarëve”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Telegrafi.
MAPL argumenton se, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, Kryetari i Komunës nuk ka kompetencë të transferojë përgjegjësi te ndërmarrjet publike për organizimin e aktiviteteve tregtare.
Sipas dokumentit të kallëzimit penal, këto veprime konsiderohen keqpërdorim i detyrës zyrtare, me pasoja të rënda financiare për Komunën.
Në kallëzimin penal, Ministri Krasniqi thekson se veprimet e ndërmarra nga zyrtarët përgjegjës përbëjnë një rast të pastër të shkeljes së ligjit, duke krijuar pasuri të paligjshme për të tretët. Ai ka kërkuar nga organet përkatëse të drejtësisë që të ndërhyjnë për të parandaluar dëmet e mëtejshme në buxhetin e Komunës së Prishtinës dhe për të siguruar që përgjegjësit të dalin para ligjit. /Telegrafi/