Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit njofton se sot ka bërë ekzekutimin e pjesës së dytë të mjeteve në mbështetje financiare për bizneset në kuadër të Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike.
Sipas MEA-së, shuma e ekzekutuar kap vlerën e 16 milionë e 424 mijë e 476 euro për gjithsej 11,244 biznese të cilat i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e parapara.
Dy ditë më parë MEA ka bërë pagesën e parë në vlerë prej 37,710,730 euro subvencione për 15,474 biznese.
Kjo shumë ndahet në zbatim të Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike i miratuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës ku vlera totale e këtij program është 60 milionë euro.
Pjesa tjetër e vendimit do të zbatohet në ditët në vijim ku do të përfitojnë të gjitha bizneset, të cilat kanë aplikuar sipas kritereve të parapara.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në prezantimin e këtij propozimi në mbledhje të Qeverisë, kishte thënë se, kjo përfshinë edhe bizneset e reja të regjistruara nga fillimi i vitit deri në muajin gusht 2020.
“Nga ky vendim nuk do të përfitojnë ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët. Subvencionimi përfshin edhe për bizneset e regjistruara për periudhën janar-gusht 2020, ku në këtë rast subvencionimi bazohet në numrin e të punësuarve për muajin korrik 2020”, ka shtuar ajo.
Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një tabelë, ku tregon që më së shumti do të përfitojnë bizneset e vogla deri në 50 punëtorë.
“36,679 biznese të cilat kanë deklaruar 206,852 të punësuar do të përfitojnë nga ky Fond. 37.3 milionë euro u janë ndarë [sot] mbi 15,500 bizneseve. 22.7 milionë euro do t’ju ndahen edhe bizneseve tjera, sapo t’i përditësojnë të dhënat në EDI. Struktura e bizneseve përfituese siç është prezantuar [në tabelë], tregon që përmes kësaj mase më së shumti përfitojnë bizneset e vogla të cilat punësojnë prej 1 deri në 50 punonjës”, ka shkruar Hoti.
Po ashtu, Qeveria ka paralajmëruar se në pjesën e dytë të muajit tetor dhe nëntor pritet të ndahen edhe ndihma të tjera financiare për bizneset.