Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur të martën, se është bërë pagesa e pensioneve, bashkë me shtesën prej 100 eurove për muajin tetor.
Murati ka thënë se nga shtesa kanë përfituar 233 mijë pensionmarrës.
“Kjo përbën shtesën e tretë brenda 12 muajve të fundit që si qeveri kemi bërë për të mbështetur pensionmarrësit – në nëntor të vitit të kaluar, në prill të këtij viti, dhe tani, në tetor. 300 euro më shumë për secilin pensionmarrës brenda një viti, nënkupton: 25% më shumë mbi pensionin bazik, 9.4%-13.7% më shumë mbi pensionin kontributpagues, dhe 6%-25% për kategoritë tjera të pensioneve”, ka shkruar Murati.
Ekzekutimi i pensioneve ishte paraparë të bëhej më 17 tetor, mirëpo është shtyrë për një ditë, për 18 tetor, për shkak të shtesës prej 100 eurosh.
Shtesa është bërë në kuadër të Pakos së Qeverisë për përballje me inflacionin, e cila është bërë e ditur në fund të muajit gusht.