Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, është shprehur mirënjohës ndaj stafit mjekësor për punën në këtë kohë epidemiologjike, por edhe ndaj Kryeministrit Avdullah Hoti se e trajtoi me prioritet kërkesën e tyre për mjete shtesë.
Duke bërë të ditur se sot janë ekzekutuar pagesat shtesë për të punësuarit në tri nivelet e kujdesit shëndetësor, Zemaj pohon se do ta mbështesë këtë kategori dhe do të vazhdojë t’ju krijojë kushte për punë sa më efektive.
”Të nderuar mjekë, infermierë dhe staf mbështetës,
Kam kënaqësinë t’ju informoj se janë ekzekutuar pagesat shtesë për të punësuarit në institucionet publike shëndetësore, në tre nivelet e kujdesit shëndetësor: primar, sekondar dhe terciar, bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas obligimeve nga Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.
Për mjekët shtesa është 250 euro në muaj, për infermierët 150 euro, kurse për stafin mbështetës nga 100 euro për muaj. Për mjekët dhe infermierët, pagesat janë bërë për muajin shtator dhe tetor, ndërsa për stafin mbështetës për muajt korrik, gusht, shtator dhe tetor.
Shpreh falënderimin ndaj Kryeministrit Hoti dhe Qeverisë për trajtimin me prioritet të kësaj çështjeje, njëherësh shpreh respektin e thellë për punën tuaj në shërbim pacientëve dhe do të vazhdoj t’ju mbështes dhe krijojë mundësi për punë sa më efektive!”.