Ekspertët paralajmërojnë uljen e numrit të të punësuarve në Kosovë, shkaku i masave rreth koronavirusit

Mbyllja e përkohshme e disa veprimtarive biznesore, shkaku i pandemisë koronavirus, mund të sjellë pasoja për ekonominë e vendit.

Sektori i transportit, hotelerisë, turizmit, shërbimeve, por edhe ai i prodhimit, do të preken drejtpërdrejt nga masat e marra.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se është e nevojshme një pako stimuluese për bizneset që do të pësojnë, raporton KOHA.

Dy ditë më parë, Qeveria ka marrë vendim që t’i mbyllë të gjitha kafiteritë, qendrat tregtare, tregjet e kafshëve dhe automjeteve.

Pasojat që mund t’i sjellë ekonomisë së vendit i përmend edhe dokumenti pozicionues mbi masat ekonomike kundër Covid-19, të ECIKS-së, një nga konsulencat kryesore për zhvillimin e sektorit privat.

Aty theksohet se masat e ndërmarra janë të mirëseardhura, por kufizimi i aktiviteteve do të rëndojë edhe më shumë barrën financiare për këto ndërmarrje.

“Ndërmarrjet do të detyrohen t’i largojnë punëtorët nga puna, gjë që mund të shkaktojë edhe më shumë probleme sociale. Ato duhet të përballen me shpenzimet e tjera rrjedhëse, përfshirë ato për shërbime publike, kredi, qira e deri tek obligimet tatimore. Kjo situatë mund të çojë shumë ndërmarrje drejt bankrotimit, që si pasojë mund të ketë rritjen e papunësisë dhe të varfërisë”, thuhet në këtë dokument.

Gjendja aktuale e sektorit privat në Kosovë edhe pa pasojat e kësaj krize është mjaft e vështirë.

Sipas studimeve të ECIKS-së, më shumë se gjysma e ndërmarrjeve private në Kosovë janë në rrezik permanent të shuarjes, si pasojë e kufizimeve të qasjes në treg dhe financa.