Trajneri nigerian i zyrtarizuar të enjten te Prishtina, Emmanuel Egbo, e ka nisur me fitore aventurën te skuadra kryeqytetase. Egbo, që në postin e trajnerit erdhi në vend të Debatik Currit, në ndeshjen e parë me Prishtinën mposhti Gjilanin, 2:1.
Jalen Blesa i shënoi të dy golat e fitores. Të parin e realizoi në minutën e 42-të.
Pas një ore lojë, te Gjilani u përjashtua me të kuq Melos Bajrami.
Por të udhëhequrit e trajnerit Gentjan Mezani, barazuan shifrat në minutën e 80-të.
Pas kundërsulmit të shpejtë shënoi Redon Ismaili, me asistim të Edi Bashës.
Megjithatë, Blesa në minutën e 95-të shënoi edhe një tjetër gol për fitoren 2:1 të Prishtinës në “Fadil Vokrri”.
Ndeshja u zhvillua të shtunën mbrëma dhe i takoi xhiros së 11 të Superligës së Kosovës në futboll.
Fitoren e fundit në Superligë e kishte realizuar para dy muajsh, më 26 gusht. Kishte seri prej shtatë ndeshjeve pa fitore, me gjashtë barazime e një disfatë.
Pas 11 ndeshjeve të luajtura, Prishtina ka 16 pikë dhe zë vendin e katërt.
Gjilani mbetet me 11 pikë.
Në xhiron e 12-të të Superligës së Kosovës, Prishtina luan në udhëtim te Malisheva, teksa Gjilani e pret Feronikelin 74.