Edon Zhegrova ka bërë akuza shumë të rënda ndaj njerëzve që janë brenda Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Akuzat janë drejtuar ndaj atyre “që vendosin për fatin e Kosovës në forma individuale”, siç ka shkruar njëri prej lojtarëve kryesorë të Përfaqësueses.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhegrova ka shkruar se erdhi në pikëpyetje se a të luajë apo jo për Kosovën. Zhegrova ndien se shpesh ishte pengesë e disa personave te Përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa ka shkruar se i është thënë të mos grumbullohej me Kosovën për ndeshjen me Zvicrën dhe Bjellorusinë, pasi e kishte të pamundur të grumbullohej për ndeshjen me Izraelin.
Kjo është hera e parë që një lojtar i rëndësishëm i Kosovës bën akuza kaq të rënda në drejtim të Përfaqësueses. Në fakt, Zhegrova që pas ndeshjes me Rumaninë kishte treguar se gjërat nuk janë mirë te Kosova, duke deklaruar se “duhet të ndryshojmë disa gjëra të brendshme”. Por më pas kishte shkruar se është keqkuptuar.
Të mërkurën mbrëma sulmuesi i krahut bëri postim të fuqishëm, ndërsa premtoi se asnjëherë nuk do të heshtë.
Zhegrova ka shkruar se ka zgjedhur Kosovën kur kishte oferta e joshje nga përfaqësuese të tjera. Thotë se e kishte ëndërr të luante për Kosovën dhe se ka vendosur për një minutë për Kosovën, në bisedë me Fadil Vokrrin. I ndjeri Vokrri është i vetmi që u përmend me emër nga Zhegrova në postimin që menjëherë bëri bujë.
“Ditët e fundit erdha në pikëpyetje të luaj apo mos të luaj nga njerëz brenda Kombëtares, ata që vendosin për fatin e Kosovës në forma individuale dhe asnjëherë zyrtare. Shumë herë isha pengesë e disa personave në Kombëtare dhe thashethemet ishin drejtuar kundrejt meje shpesh. Por nuk kam folur asnjëherë vetëm që mos ta prishi harmoninë e Kombëtares, sepse Kombëtarja është mbi të gjitha, mbi intrigat e thashethemet e njerëzve amatorë kundrejt meje”, ka shkruar Zhegrova.
Ka kohë që ka dyshime që jo vetëm ata që mbajnë poste vendosin për Përfaqësuese. Dhe postimi i Zhegrovës shkon në këtë drejtim.
“Në ndeshjen e fundit nuk pata mundësi të jem pjesë e Kosovës për arsye tashmë të njohura, pavarësisht dëshirës sime të madhe. Ua kam bërë të ditur që për ndeshjet e tjera dua të jem aty, ta ndihmoj Kombëtaren me vullnetin maksimal. Por përgjigjja e tyre ishte: Nëse nuk vjen në këtë ndeshje, harroji edhe ndeshjet e tjera, nuk po na duhesh. E çuditshme, sepse jam në formën më të mirë dhe dua të kontribuoj dhe të sakrifikoj gjithçka për Kombëtaren time. Njerëzit në Kombëtare e dinë që unë shpesh kam luajtur edhe i lënduar dhe kam sakrifikuar edhe karrierën time për fanellën e Kosovës. Ndaj Rumanisë kam ardhur, kam luajtur ‘me një këmbë’ dhe asnjëherë nuk jam ankuar, sepse këtë e bëj për nderin e shtetit dhe popullit dhe jo për njerëzit injorantë që bëjnë kalkulime dhe nuk ia duan të mirën vendit”, shkruan tutje në postimin e Zhegrovës, lojtarit të Lillet në Francë.
Zhegrova po shkëlqen në javët e fundit, por nuk do të jetë ndaj Zvicrës dhe Bjellorusisë, ndeshjet e fundit në kualifikimet për “Euro 2024”.
“Asnjëherë nuk do të hesht ndaj padrejtësive. Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë ‘Biri yt, Kosovë’”, ka përfunduar shkrimin Zhegrova.
Kosovës do t’i mungojë edhe kapiteni Amir Rrahmani në dy ndeshjet e ardhshme.