Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si të arrihet qëllimi i përbashkët kombëtar. Por ai shton se me Kurtin nuk ka ndonjë problem personale.
Rama ka thënë se më shumë e ka mik Kurtin sesa Ramush Haradinajn, me të cilin kishte përplasje të mëdha gjatë kohës sa Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës.
“Albin Kurtin e kam mik më shumë se Haradinajn. Me Albinin s’kam pasur problem personal. Por me kryeministrin e Kosovës kam divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënie miqësore nuk më ka penguar me të tjerët më parë, e as që më pengon tash për të diskutuar divergjencat botëkuptimore që kemi”, ka thënë Rama në Kuvendin e Shqipërisë, ku pritet të votohet rezoluta që dënon sulmin e grupit paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Rama ka pasur kritika të mëdha për videot që ai i ka quajtur propagandistike për të sulmuar kundërshtarët politikë, duke aluduar në pushtetin në Kosovë.
“Mbase i shtojnë votat atje në Prishtinë duke shtuar agjendë e spiunë në listën e armiqve të popullit. Ngrini tastaturat të luftoni më shumë me Ramoviqin se vetë Vuçiqin”, ka thënë Rama me ironizim.