Edhe zyrtarisht burri i Presidentes Osmani e udhëheqë Ambasadën në Shkup

Ka pasur raportime të shumt se bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu, pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit dhe shkarkimit të ambasadorëve politikë me dekret të presidentes, është duke udhëhequr me Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo tani, vet Prindon Sadriu e konfirmon këtë.

Me largimin e Gjergj Dedajt nga kjo ambasadë, shef i misionit diplomatik të Kosovës në Maqedoni në cilësinë e të ngarkuarit me punë është bashkëshorti i Presidentes Osmani, shkruan Demokracia.com.

Përmes rrjetit social Twitter, Prindon Sadriu e konfirmon se po qëndron në këtë pozitë, derisa as Presidentja dhe as ai asnjëherë nuk janë përgjigjur për këtë vendim.

Kujtojmë që Prindon Sadriu është diplomat i karrierës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai në pozitën e zëvendës-shefit të misionit të Kosovës në Maqedoni ishte emëruar në korrik të vitit 2019, i cili mbanë gradën e ministrit në shërbimin diplomatik të Kosovës.

Muajin e kaluar, me anë të dekreteve Osmani ka shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë me arsyetimin se janë të emëruar politikisht.