Takimi i Konstituencës së Bankës Botërore dhe FMN-së këtë herë është mbajtur në Prishtinë.
Përfaqësuesi nga Ministritë e Financave dhe Bankat Qendrore të shteteve anëtare si Austria, Belgjika, Turqia, Bjellorusia, Cekia, Luksemburgu, Hungaria, Sllovakia, si dhe Sllovenia, janë pritur nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Banka Qendrore e Kosovës.
Ardhja e tyre u bë pas ftesës që ish guvernatori, Fehmi Mehmeti u ka bërë në kohën sa ishte në detyrë.
Por, ani pse Mehmeti ishte iniciues, ai nuk u ftua as nga ministri e as nga menaxhmeti aktual i BQK-së, për të qenë edhe ai në takim.
Kështu thotë në një prononcim për Front Online, Fehmi Mehmeti ish guvernator i Bankës Qendore të Kosovës.
“Kjo është një gjë e mirë që ka ndodh, përkundër që kam kërkuar, që kam qenë iniciues mbajtjes së këtij takimi në Kosovë, nuk kam marr ftesë nga menaxhmenti aktual i BQK-së, përkundër raporteve e komunikimeve që i kemi shumë të mira me partnerët tonë ndërkombëtarë, si në këtë rast shefen e konstituencës, shefen e misionit dhe përfaqësuesit më të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe të Bankës Botërore”, u shpreh ai për Front Online.
Megjithatë, Mehmeti e konsideron lajm të mirë mbajtjen e takimit të konstituencës së Bankës Botërore dhe FMN-së në Prishtinë.
“Ky është një lajm i mirë, një konferencë që sot është mbajtur në Prishtinë. Kam qenë iniciativë të cilën e kam iniciuar gjatë takimeve vjeshtore që kemi pasë në fundvitin e kaluar. Një iniciativë e cila është prezentuar gjatë takimit të fundit që kemi pasur në konstituencën e Fondit Momentar Ndërkombëtarë, një iniciativë e cila është mirëpritur nga gjithë partnerët ose anëtarët e kësaj konstituence. Faktikisht kjo është rezultat i një stabiliteti financiar ku në përgjithësi, sa herë që tani ju i keni parë edhe raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtarë, pastaj të Departamentit Amerikan të Shtetit ku folët për stabilitetin financiar, Kosova merret shembull, e një sektori financiar stabil”, thotë Mehmeti për Front Online.
Sipas Mehmetit, mbajtja e këtij takimi kaq të rëndësishëm në Prishtinë, nuk ndodhi paarsye.
Ai thotë se për shkak të raporteve të suksesshme në këtë sektor, ka ndodh edhe ardhja e tyre.
“Një sektor ku kemi arrit që të përballojmë pandeminë, me pasoja minimale, ose mos të themi fare, pasoja negative për ekonominë e vendit dhe për sektorin financiar dhe që realisht edhe gjatë periudhës së pandemisë kemi arrit që sektori financiar i vendit ta ketë një funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Për të gjitha këto nuk është që e themi ne, flasin edhe raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare në vend. Por në anën tjetër, kjo është një rezultat i punës së mirë që kemi bërë, gjatë periudhës derisa ishim në takimet vjeshtore, e kam dhënë këtë iniciativë dhe jam shumë falënderues nga shefi i konstituencës, i cili në fillim e ka mbështetë kërkesën tonë që për herë të parë të kemi faktikisht të bëjmë me një konferencë të tillë në Prishtinë, e që më pastaj është përkrah nga anëtarët e tjerë”, deklaroi ish guvernatori.
Këto takime shërbejnë si platformë për të ndarë përvojat më të mira, si dhe për të diskutuar rreth zhvillimeve të përgjithshme ekonomike globale, sfidave rajonale, si dhe çështjeve të brendshme të konstituencave përkatëse. /Front Online