Sot në Komisionin për Buxhet pritet të diskutohet vendimi për lejimin apo jo të tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Personale – Trusti.
Gjatë kohës kur anëtarët e komisionit do të diskutojnë e më pas të votojnë për apo kundër që iniciativa të shkojë në seancë plenare, i pranishëm do të jetë edhe iniciuesi i peticionit për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të Trustit, Adnan Jashari.
Në qershor Projektligji që do të mundësonte tërheqjen e parave nga Trusti, kishte dalë në votim në Kuvendin e Kosovës, por ishte refuzuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, me arsyetimin se “do të shkatërronte strukturën pensionale të shtetit.
Një argument tjetër se pse nuk duhej lejuar tërheqja e një shume të caktuar të mjeteve nga Trusit, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ishte “presioni inflacionar” që do të shkaktonte një tërheqje e tillë.
Partia Demokratike e Kosovës – si partia më e madhe opozitare kishte propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.
Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars kishte dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Megjithatë ky projektligj nuk kishte marrë dritën jeshile të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në Qershor.
Për këtë projektligj kishin votuar gjithsej 102 deputetë, kur prej tyre 44 pro, 57 kundër dhe 1 abstenim.
Pas këtij dështimi qytetarët e Kosovës përmes më shumë se 20 mijë nënshkrimeve ishin drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’u lejohet tërheqja e Trustit.
Sipas propozimit të PDK-së, i cili nuk u aprovua në Kuvend, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.
Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.
Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.