Mbrëmë janë identifikuar edhe 13 raste të reja me COVID-19, ndërsa 11 prej tyre janë nga fshati Topanicë i komunës së Kamenicës.
Kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati në emisionin Zyra e Ankesave në RTV Dukagjini ka bërë me dije se në këto 11 raste, është edhe një foshnje pesë muajsh, ndërsa më i moshuari është një 72 vjeçar.
Ai tha se rastet e reja kanë qenë të pritshme pasi qytetari i parë i infektuar ka pasur kontakt gjatë 12 ditëve deri sa e ka kuptuar që është i infektuar me COVID-19.
Kryetari Kastrati ka folur edhe lidhur me qarkullimin e një lajmi se një person i infektuar nuk ka respektuar vet-izolimin. Ai sqaroi se personi në fjalë gjendet në Klinikën infektive dhe fotografia është bërë para disa dite.
Ndryshe, gjithsej numri i personave të infektuar me COVID-19 ka arritur në 125, 10 prej tyre janë shëruar, ndërsa një ka ndërruar jetë.