Kur ka mbetur edhe një ditë afat për zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sot Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të shqyrtojë listën e kandidatëve për këtë pozitë.
Shqyrtimi i fundit kishte ndodhur në fund të muajit shkurt, ku ishte vendosur që raporti i Bordit të BQK-së duhet të plotësohet me të dhëna duke përfshirë opsionin ligjor dhe pikët e të gjithë kandidatëve. Në listën e kandidatëve që është dërguar nga Paneli i BQK-së, deputetët e partive opozitare kanë pasur kritika sa i përket mënyrës sesi ka shkuar procesi i përzgjedhjes së guvernatorit.
Me këtë rast, katër kandidatë sipas Bordit janë në garë për t’u zgjedhur në krye të BQK-së. Ata që e synojnë këtë pozitë janë Ahmet Ismaili, Shkëndije Himaj, Nexhat Kryeziu dhe Lulzim Ismajli.
Sipas shpalljes që ishte bërë nga BQK-ja, emërimi i guvernatorit të ri do të jetë për një mandat pesë vjeçar duke filluar më 29 mars 2023, shkruan Telegrafi.
Kryetar i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja në këtë Komision pati thënë se procesi i përzgjedhjes është monitoruar nga Ambasada britanike.
“Për pozitën në fjalë është kanë aplikuar gjithsej 17 kandidatë, pas vlerësimeve të CV-së, për intervistim janë ftuar gjithsej 14 kandidatë dhe nga projekti është konstatuar se kandidatët e njëjtë, të 14-të i plotësojnë kushtet për intervistim. Kandidatët që nuk janë ftuar për intervistim janë informuar se nuk janë përfshirë në listën për intervistim. Pyetjet kanë qenë unike për të gjithë kandidatët me qëllim të vlerësimit real në funksion të parimit të barazisë, për të cilën kanë qenë të njoftuar të gjithë kandidatët. Dhe menjëherë pas përfundimit të intervistës secilit kandidat, paneli ka bërë vlerësimin e kandidatëve, duke dhënë pikët për secilën fushë”, ka theksuar Nurboja.
Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, guvernatori si kryeshef ekzekutiv i këtij institucioni është pjesë e Bordit dhe kryesues i Bordit Ekzekutiv. Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.
Në pikën 1 të këtij neni thuhet se guvernatori dhe anëtarët joekzekutiv të Bordit të BQK-së emërohen për një mandat prej pesë vitesh, ndërsa pika dy e këtij neni thotë se kurdo që paraqitet boshllëk do të konstituohet një panel përzgjedhës që ka kompetenca për shqyrtimin e të gjithë kandidatëve i përbërë nga anëtarët e tjerë të Bordit të BQK-së dhe guvernatori, ku asnjëri prej tyre nuk kërkon riemërim.
Mirëpo, në fund kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.
Reklama
Nëse i pari i BQK-së nuk emërohet deri në datën e paraparë, atëherë postin e guvernatorit e merr Bordi, përkatësisht nga kryetari i saj.
“Në rast rrethanash të jashtëzakonshme dhe nëse të gjithë anëtarët e Bordit Ekzekutiv mungojnë apo nuk janë në gjendje të veprojnë, posti i guvernatorit do të merret përkohësisht nga kryetari i Bordit të Bankës Qendrore. Dy anëtarët joekzekutivë të Bordit të BQK-së që janë më së gjati në post të tillë si dhe në dispozicion do të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve”, thekson neni i 46 i Ligjit për BQK-në.
Institucioni më i lartë financiar në vend, aktualisht udhëhiqet nga Mehmeti. Këtij të fundit i skadon mandati më 29 mars e që ishte emëruar më 2018. /Telegrafi/