Edhe nëse konsumohet pa dashje, uji i Badovcit nuk do të dëmtojë shëndetin e qytetarëve


Pas njoftimit dhe apelit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos e përdorin atë për pije dhe përgatitje të ushqimit.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, ka ulur prodhimin e ujit në 35% më pak në mënyrë që të ruhet kualiteti i ujit të pijshëm.

Deri te ky vendim ka ardhur pasi që bazuar në rezultatet laboratorike, në ujë janë gjetur vlera të shtuara të manganit.

Drejtori i Qendrës së laboratorëve testuese në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, doktori Ergyl Binqe në RTK, ka thënë se deri të ulen vlerat e manganit të mos përdorët uji për pije dhe përgatitje të ushqimit.

Sipas tij, uji mund të përdoret për pastrime sanitare.

Megjithatë ai ka theksuar se qytetarët nuk duhet të shqetësohen sepse edhe nëse pijet uji me këto vlera të manganit nuk ndikon në shëndetin e tyre.

“Popullata nuk ka nevojë për shqetësim. Edhe nëse është pirë uji nga fëmijët apo të rritur pasi nuk kanë qenë të njoftuar, nuk duhet të shqetësohen pasi nuk do të dëmtohet shëndeti i tyre. Por ne kemi pranuar ligje të Bashkësisë Evropiane dhe ata kanë paraparë që 0.05 miligram/litër të jetë doza maksimale e manganit, atëherë ne jemi të detyruar ta zbatojmë atë vendim”, deklaroi Binqe.

“Sasia e vlerave të manganit në ujë është 3 deri 4 herë më shumë se që është e lejuar”, ka thënë Binqe. “Me kohë është vërejt rritja e vlerave të manganit dhe me kohë janë njoftuar qytetarët”, ka thënë Binqe.

Ndërkohë, kompania e ujësjellësit rajonal ‘Prishtina’ ka nisur shpërndarjen e ujit përmes autoboteve në disa zona të Prishtinës.