Analisti politik Albert Krasniqi vlerëson se do të jetë e vështirë, gati e pamundshme që të iniciohet procedurë për shkarkimin e presidentit Hashim Thaçi, edhe nëse dekretin e tij për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, Gjykata Kushtetuese e shpall anti-kushtetues.
Krasniqi nga “Demokracia plus”, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se presidenti nuk është një noter, siç po pretendohet.
“Presidenti mund të shkarkohet vetëm nëse bën shkelje të rëndë. Është rasti me presidentin Fatmir Sejdiu, kur Gjykata dha vlerësimin e saj për dy pozita që mbante e që ishte në kundërshtim. Tash edhe nëse del se është në kundërshtim me Kushtetutën ky dekrtet, do të jetë vështirë të iniciohet procedurë për shkakrkim të Thaçit. Presidenti nuk është një noter, siç po pretendohet. Pikërisht ne aktgjykimin me rastin e Sejdiut, ku Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar kompetencat e presidentit, në mënyrë shprehimore ka thënë se presidenti gëzon kompetenca politike, sidomos në raste kur zgjedh mes dy kandidatëve, të cilët janë në raundin e dytë. Kjo është paraparë qysh atëherë. Presidenti është ai i cili vlerëson duke vendosur kritere mbizotëruese, se cila prej partive politike ka më shumë gjasa”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka folur edhe për deputetin Etem Arifi, i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm.
Sipas Krasniqit, atij nuk mund t’i merret mandati, por edhe nëse i merret nuk zhbëhet puna e mocionit, ku ai mori pjesë me rastin e rrëzimit të Qeverisë Kurti.
Ai thotë se edhe për këtë ka një rast, si ai me ish-presidentin Behgjet Pacolli.
“Edhe nëse del që Etem Arifi ka humbur mandatin, Gjykata nuk mund ta anulojë këtë vendim. Kemi pasur edhe rastin me zgjedhjen e Pacollit, ndonëse zgjedhja e tij nuk kishte ndodhur, Gjykata nuk anuloi vendimet që ai mori, pasi ato kishin dhënë efekte juridike”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se provat për protestë nga Lëvizja Vetëvendosje janë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, arsyet e protestës në këtë kohë kur nuk ka aktgjykim të Kushtetueses, është paragjykim që vendimi do të jetë në disfavor të VV-së.
“Ky është presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është shoqëruar edhe me kërkesat që Kurti i ka pasur për komisionin e Venecias për të bërë një vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit, ndonëse kjo është në trajtim të Gjykatës Kushtuese, dhe komisioni i Venecias është që jep rekomandime opinione por që nuk janë domosdoshmërisht të aplikueshme”, ka thënë ai.
Ai tutje thotë se “megjithatë protestat janë e drejtë e qytetarëve, madje edhe në kushte të pandemisë nëse i respektojnë rregullat”.