Shkon në 327 numri i të shëruarve nga COVID-19 në Shqipëri nga 584 sa është numri i të prekurve.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve.
“Aktualisht në vendin tonë janë 231 persona të infektuar aktivë. Përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor”, tha Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.