E shtuna e zezë në Kosovë: 8 të vdekur e 178 të infektuar nga


Tetë raste të reja të vdekjeve si pasojë e koronavirusit janë regjistruar të shtunën e 4 korrikut në Kosovë. Deri tash në Kosovë, si pasojë e këtij virusi, kanë vdekur 66 persona.

Në raportin e së premtes Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, kishte njoftuar se deri atë ditë ishin regjistruar 58 vdekje. Të shtunën në mesditë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjashtë pacientë kanë vdekur deri në orën 17:00, ndërsa në mbrëmje IKSHPK-ja ka regjistruar edhe dy vdekje të tjera, për të çuar në 66 numrin e përgjithshëm të vdekjeve në vend.

E shtuna ishte dita rekorde edhe sa i përket rasteve të reja me COVID-19, me 178 raste të reja.

Numri total i rasteve pozitive në Kosovë ka arritur në 3.356. Të shtunën janë shëruar 50 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 1874. Raste active janë 1416.

NJOFTIMI I PLOTË I IKSHPK-së:

Sot më 04 korrik 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 346 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 178 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive 3.356 raste nga 24.921 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 66 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese

Sot më 05 korrik 2020, janë shëruar 50 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.874 raste, kurse raste aktive 1.416.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 81 raste, komuna e Fushë Kosovës 16 raste, komuna e Prizrenit 10 raste, komuna e Ferizajt 10 raste, komuna e Drenasit 9 raste, komuna e Gjilanit 9 raste, komuna e Vushtrrisë 8 raste, komuna e Lipjanit 6 raste, komuna e Skenderajt 6 raste, komuna e Mitrovicës 4 raste, komuna e Pejës 4 raste, komuna e Podujevës 4 raste, komuna e Shtimes 3 raste, komuna e Vitisë 2 raste, komuna e Kamenicës 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Suharekë, Mamushë, Obiliq dhe Dragash.