E quajti presidentin Thaçi hajn, truproja e grushton aktivistin e Vetëvendosjes (Video)

Derisa po mbante konferencë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi një qytetar dëgjohej jashtë rrethojave të objektit të Kuvendit të Kosovës duke thirrur “O hajn, o hajn” në drejtim të presidentit.

Menjëherë pas këtyre thirrjeve truprojat e presidentit i janë vënë në ndjekje qytetarit.

Në një video nga Indeksonline shihen truprojat e presidentit Thaçi duke e arrestuar qytetarin.

Gjatë arrestimit, reaguan edhe kalimtarë të shumtë të rastit të cilët ishin në këtë vendngjarje.

Truprojat e presidentit shihen duke e grushtuar qytetarin në fjalë, ku më pas edhe e arrestuan.

Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, tha se është ushtruar dhunë ndaj aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Disa persona të shërbimit të presidentit e kanë dëgjuar dhe kanë ardhur kanë ushtruar dhunë ndaj tij. E kanë kapur pa i kallëzuar arsyen pse është arrestuar dhe kanë filluar ta godasin grushte. Veroni momentalisht është tepër i sulmuar nga njerëzit e panjohur të shërbimit të presidentit. Kjo është dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës për shkak se nuk guxojnë me shpreh mendimin për një president, i cili sillet si mbret në institucionet e Kosovës. Kjo është turp”, tha ai.