E konfirmon mediumi francez: Kylian Mbappe ka vendosur përfundimisht t’i bashkohet Real Madridit

Kylian Mbappe raportohet se ka ndarë mendjen përfundimisht për t’u larguar nga Paris Saint-Germaini në fund të sezonit dhe t’i bashkohet Real Madridit.

Sipas mediumit francez Le Parisien, 25-vjeçari ka vendosur që të bëhet pjesë e madrilenëve për sezonin 2024/2025.


Reprezentuesit francez do t’i skadojë kontrata me Parisin këtë verë dhe pasi tash e disa vite ishte lidhur me një kalim tek gjiganti spanjoll, duket se më në fund Mbappe dëshiron lëvizjen në “Santiago Bernabeu”.

Lajmin për kalimin e Mbappes tek Real Madridi tashmë e kanë dhënë gazetarët e Le Parisien, Dominuqe Severac, Harold Marchetti dhe Marc Mechenoua.

PSG-ja ashtu si dhe lojtarët e saj, tashmë nuk dyshojnë aspak se francezi e ka marrë këtë vendim, madje thuhet se ata besojnë që beteja për ta bindur 25-vjeçarin të qëndrojë në Francë, tashmë është e humbur.

Për herë të parë që nga fillimi i sagës ‘Mbappe’, mediat franceze po e pranojnë publikisht se ky transferim do të ndodh, dhe tani duket se është e pashmangshme këtë vit. Ylli francez pritet t’i bashkohet Real Madridit si lojtar i lirë, por sidoqoftë do të fitojë një bonus nënshkrimi të jashtëzakonshëm.

Mbappe ka shënuar 29 gola dhe ka dhuruar 7 asistime në 28 ndeshje për PSG-në deri më tani këtë sezon.