Kryetari i AAK-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur sërish kryeministrin e vendit, Albin Kurtin “Spiun i Serbisë”.
Haradinaj përmes foltores së Kuvendit të Kosovës ka thënë se Kurti është mashtrues dhe ka arritur që ta lerë ushtrinë e Kosovës pa bukë.
“Po si është qeveria jonë, kryeministri? Në këtë foltore i kam thënë mashtrues…në vazhdimësi pa nda vazhdon me dobësua vendin që udhëheq. Ai godet pamëshirshëm Policinë e vendit, ushtrinë dhe AKI-në. Kur një ditë i kam thënë që është spiun i Serbisë, po është spiun i Serbisë, pasi ky njeri e ka lënë ushtrinë e tij pa bukë”, ka thënë ai.
Haradinaj po ashtu kërkoi që kjo qeveri duhet të ndërrojë, përcjellë Telegrafi.
Gjatë fjalës së tij, Haradinaj shpjegoi se si qytetarët i falënderohen ushtarëve të vendit, duke treguar rëndësinë e tyre për sigurinë e shtetit.
“Dy shprehje janë në përditshmëri te ushtarët, e para është ajo që thotë qytetari i vendit në vazhdimësi ‘faleminderit për shërbimin’. Pra qytetarët pa marr parasysh profesionin, apo përkatësinë e caktuar sa herë që i shohin ushtarët në uniformë e praktikojnë këtë shprehje. Ndërsa ata që ju japin urdhra në ushtri, i përshëndesin oficerët, nënoficerët, ushtarët ‘Nderime atdheut’. Këto dy fjalë shpjegojnë se çka është ushtria.
Sot po trajtojmë për logjistikën e ushtrisë sonë, gjashtë vjet pas themelimit të FSK-së. Logjistikën, ushtritë e botës me mijëra vjet e kanë gjet zgjidhjen. Ushtari dhe polici i Kosovës nuk ka shkuar aty për ushqimin e tij, kushtet, pagën por se ai ka shkuar aty që të shërbej për vendin e vet deri në frymën e fundit”, u shpreh Haradinaj.