Mbrëmja e së hënës ishte e kobshme. Kjo pasi dy të rinj u gjetën të vdekur në rrethana të dyshimta dhe ende të paqartësuara.
Rreth orës 17:15, një 21 vjeçar është gjetur i vdekur në korridorin e shtëpisë së tij në Gjilan.
Sipas informatave të para të policisë së Kosovës, të cilët siç raportohet, fillimisht i kanë marrë nga ekipi mjekësor emergjent, tashmë i ndjeri ishte alivanosur në korridorin e shtëpisë pak kohë pasi ishte kthyer në shtëpi.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Esat Berisha”. Kurse, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është cilësuar “vdekje e dyshimtë”, transmeton Paparaci.
“Rreth orës 17:15 nga ekipi emergjent mjekësorë ka pranuar informatë se në rrugën ,,Esat Berisha’’ në Gjilan në një shtëpi nga mjeku kujdestarë është konstatuar se personi i moshës 21 vjeçar (mashkull kosovar shqiptar) është pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Një rast tjetër i ngjashëm ka ndodhur në qytetin e Mitrovicës veç 15 minuta më vonë sesa rasti në Gjilan.
Një vajzë 24 vjeçare është gjetur pa shenja jete nga familjarët brenda banesës ku po jetonin.
Lidhur me këtë, policia e Kosovës ka njoftuar se hetuesit kanë nisur të hetojnë shkaqet e mundshme dhe rrethanat e vdekjes.
Rasti që po cilësohet si “hetim i vdekjes”, është konfirmuar për Paparacin nga Avni Zahiti, zëdhënës i PK-së për Mitrovicë.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.