Dardan Molliqaj është ftuar për intervistim nga Policia e Kosovës. Ndaj kryetarit të PSD-së është hapur rast për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.
Policia e Kosovës ka hapur rast kundër Dardan Molliqajt në drejtim të veprës penale “sulm”.
Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Policinë e Kosovës ka ftuar sot kryetarin e Partisë Socialdemokrate që në cilësinë e të dyshuarit të paraqitet për intervistim në stacionin policor në Prishtinë.
Policia e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, të kontaktuar nga Paparaci të shtunën, nuk janë deklaruar për rastin. Kësisoj, nuk dihet ende nëse Molliqaj i është përgjigjur ftesës së policisë.
Hetimet policore ndërlidhen me sulmin e Molliqajt ndaj një zyrtari të Policisë së Kosovës të shtunën gjatë protestës së organizuar nga PSD-ja kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Rasti, i cili ndodhi para hyrjes së objektit qendror të Qeverisë së Kosovës, u incizua nga kamerat e mediave. Molliqaj, shfaqet duke goditur me shuplakë zyrtarin policor. Oficerët policorë nuk reagojnë, treguan pamjet e kamerave, raporton Paparaci.
Në adresimin e tij para protestuesve, lideri i Partisë Socialdemokrate akuzoi Policinë e Kosovës, veprimet e të cilëve i cilësoi të “dirigjuara politikisht” dhe “të pasjellshme”.
Një ditë pas protestës, organizatori i saj nuk e komentoi sulmin e tij ndaj oficerit policor, në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale. Ai, kërkoi nga institucionet që të dëgjojnë “vullnetin e qytetarëve dhe të kthehenë prapa propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave”.
Në adresimin e tij nga rrjeti social Facebook, shefi i PSD-së paralajmëroi vazhdimin e protestave dhe aksioneve politike kundrejt shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Protesta e thirrur nga PSD-ja mblodhi qindra protestues të shtunën në sheshet kryesore të kryeqytetit. Ata shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të ZRrE-së.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga qeveria në fundvitin e kaluar.