Rasti i vajzës nga Skenderaj, e cila u raportua e zhdukur për gjashtë ditë, është hapur si “dhunim” në Policinë e Kosovës.
Me anë të raportit ditor, policia konfirmoi se për gjetjen e E.F., 26 vjeçe, është njoftuar edhe prokurori, teksa nuk njoftohet për ndonjë të arrestuar.
Gazeta Express ka kontaktuar me vëllain e 26-vjeçares për të kuptuar nëse dyshojnë se e reja ka mundur të jetë keqpërdorur seksualisht gjatë qëndrimit jashtë shtëpisë, mirëpo ai mohon se dikush ka mundur ta dhunojë motrën e tij.
“Nuk është ajo, policia munden me thanë dhunim, por ne e njohim personin në fjalë. E kemi motër, ajo nuk është person që mundet me dhunu dikush”, tha vëllai i E.F., për Gazetën Express.
I pyetur nëse E.F. ka biseduar me familjarët pasi që është gjetur, ai tha se motra e tij ka humbur peshë dhe ka thënë se ndjen djegësi.
“Ajo ka qenë e humbur që 10 dite, ka humbur shumë peshë, në aspektin shëndetësor është dërmu pothuajse. Por pasi e kemi dërgu në spital e ka marrë veten edhe po folë, po njeh, është ma mirë shumë”, tha ai.
“Me mu mbrëmë ka folë pak, veç më ka thënë kam djegësim për shkak se ka nejt shumë në mal, tjetër asgjë s’ka thënë”, shtoi vëllai i saj.
Lidhur me trajtimin mjekësor të 26-vjeçares, QKUK-ja nuk është deklaruar sot, pasi siç tha “me rastin është duke u marrë policia dhe prokuroria dhe për shkak të ndjeshmërisë nuk mund të flasin”.
Ndërsa, dje Gazeta Express ka kontaktuar me mjeken kujdestare në QKUK Dafina Basholli, e cila ka treguar për Gazetën Express se pas pranimit në Emergjencë, në fillim E.F. ka qenë më konfuze, ndërsa më pas ka filluar komunikimin me personelin shëndetësor.
“Ka ardhë me vetëdije, konfuze dhe nuk komunikonte. Ishte me hipotermi, pas marrjes së terapisë dhe ngrohjes së pacientes, temperatura trupore ka fillu me u rritë dhe pulsi është rritur dhe përmirësuar… Tani ka fillu pak nga pak me komuniku me personelin… Sipas informacioneve, ka qëndruar në fushë me ditë të tëra në ambient të hapur. Për fat të mirë s’ka marrë ngrica”, ka deklaruar Basholli.
Lidhur me rastin, Gazeta Express ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pranuar përgjigje.
Ndërsa, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti u përshkrua si më poshtë:
“DHUNIM /Gllogoc Me datën 25.10.2020 rreth orës 10:40 është gjetur viktima femër kosovare e cila ishte raportuar si e zhdukur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së, transmeton Gazeta Express.