Dybala: Nuk jam ende në formë optimale, por do të dëfrehemi

Koronavirusi ka mbetur vetëm një kujtim i keq dhe tashmë Paulo Dybala po ngroh motorët në funksion të ndeshjes së kthimit të Kupës së Italisë, kundër Milanit, e planifikuar për të premten. Kjo do të jetë ndeshja e parë në Itali pas ndalesës për shkak të pandemisë COVID-19:

“Tani ndihem shumë më mirë. Nuk jam ende në 100% të formës, por jam mjaft mirë. Kemi filluar përsëri të stërvitemi, futbolli po kthehet dhe së shpejti do të bëjmë atë që duam më shumë. Shpresoj që të mund të argëtohemi dhe të argëtojmë tifozët”.

Argjentinasi deklaroi në lidhjen e drejtpërdrejtë me Dele Allin në Instagram se tani njerëzit do të kenë mundësi të dëfrehen çdo ditë me ndeshjet e futbollit.

“Mendoj se do të jetë e dobishme, sepse do të kemi shumë ndeshje të njëpasnjëshme futbolli dhe njerëz si ne, që e duan këtë sport të mrekullueshëm. Njerëzit do të kenë mundësinë të shohin ndeshje të ndryshme çdo ditë”.

Dybala rezultoi pozitiv me Koronavirus më 21 mars së bashku me të dashurën e tij Oriana dhe pas 46 ditësh izolimi në shtëpinë e tij në Torino ai e mposhti COVID-19.