Dy vjet më parë, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga pozita e presidentit dhe u arrestua

Janë bërë dy vite që nga dorëheqja e Hashim Thaçit nga pozita e  presidentit, pasi iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale.

Në vazhdën e arrestimeve të ish-krerëve të UÇK-së në atë kohë, të fundit që iu konfirmua aktakuza për nga pozitat e larta politike, ishin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Thaçi doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku tregoi se iu është konfirmuar aktakuza dhe në të njëjtën kohë dha dorëheqje nga pozita e presidentit, duke ia liruar këtë detyrë atë kohë kryeparlamentares Vjosa Osmanit.

Konfirmimi i aktakuzës nuk ishte surprizë e madhe për Thaçin, pasi më parë iu kumtua lajmi për ngritjen e aktakuzës për krime kundër njerëzimit, çuditërisht përderisa ndodhej në aeroplan, rrugës për në SHBA, ku pritej të nënshkruheshin disa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë, atë kohë nën administratën e Donald Trump, në qershor të po atij viti.

Kjo bëri që Thaçi të kthehej në gjysmë të rrugëtimit për në Kosovë, pasi akuzat e rënda ndaj tij ia pamundësuan përfaqësimin e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë.

Pas kthimit, kishte dyshime nëse Thaçi do jepte menjëherë dorëheqje apo do e vazhdonte ende detyrën e tij, ndërkohë që shoqëria kishte mendime të ndryshme për këtë.

Pas heshtjes disaditore, Thaçi postoi një video në Facebook ku u shpreh i lënduar dhe i thyer nga lajmi për ngritjen e aktakuzës, por tha se do e vazhdojë mandatin e tij deri në konfirmim apo jo të aktakuzës.