Dy prej të infektuarve me koronavirus në gjendje kritike

37 pacientë të infektuar me koronavirus janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Për gjendjen e tyre ka dhënë detaje infektologu Shemsedin Dreshaj.

Në një prononcim për Gazetën Express, Dreshaj ka thënë se gjendja e dy prej të infektuarve është kritike.

“37 të infektuar me COVID-19 janë të shtrirë në Infektivë. Katër prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe dy të tjerë janë në gjendje kritike”, ka thënë Dreshaj

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 23 raste të reja me koronavirus, duke bërë kështu që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 250.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë me dije se rastet e konfirmuara janë raste kontakti nga Ferizaj, Vitia, Hani i Elezit, Prizreni dhe Prishtina.

Po ashtu, IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 14 pacientëve të tjerë.