Dukagjini e ka fituar ndeshjen gjysmëfinale të barazhit për ngjitje në Superligë, duke mposhtur me rezultat 2:1 Flamurtarin.
Dukagjini kaloi në epërsi qysh në minutën e 22-të me anë të Fatlum Gashit, i cili realizoi super gol nga gjuajtja e lirë.
Në vazhdim ndeshja ishte e baraspeshuar dhe të dyja skuadrat u treguan shumë të kujdesshme, deri në minutën e 73-të kur Labinot Osmani dyfishoi epërsinë për skuadrën e Armend Dallkut pasi shfrytëzoi një vendosje jo të mirë të mbrojtjes kundërshtare.
Dukagjini mbeti me një futbollist më pak në fushë dhjetë minuta para fundit të ndeshjes, me Flamurtarin që e shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë dhe arriti të ngushtonte epërsinë përmes Bashkim Shalës në minutën e 83-të.
Mirëpo deri në fund, pavarësisht tentimeve nga Flamurtari, rezultati mbeti i pandryshuar. Në minutat e fundit ndeshja u tensionua dhe gjyqtari nxorri edhe dy kartonë të kuq, nga një për secilen skuadër.
Me këtë fitore, Dukagjini siguroi biletën për në finalen e barazhin, aty ku e pret skuadrën që do të pozicionohet në vendin e tetë në Superligën e Kosovës.