Kujtojmë se pas Aktgjykimit të Supremes, Komuniteti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq nuk ka fituar mandat në Kuvend dhe një deputet i është hequr Iniciativës Rome parti këto që kishin fituar vota për komunitetet e tyre me ndihmën e Listës Serbe në komunat me shumicë serbe.
Në vend të Adrijana Hoxhiq në Kuvend është futur Duda Balje nga Unioni Social Demokrat.
Postimi i plotë i Balje:
DREJTËSIA KA EMËR
Ndjejë obligim njerëzor, moral dhe politik që nga thellësia e zemrës t’iu falënderohem të gjitha mediumeve dhe Institutit Kosovar të Drejtësisë – IKD ( dhe shoqërisë civile kosovare) për angazhimin dhe përkrahjen e pashoqë në arritjen e drejtësisë me rastin e manipulimit të votave në këtë proces zgjedhor.
Mediumeve të shtetit tim Kosovës ju falënderohem për ngritjen e zërit të pareshtur kundër padrejtësisë që u përpoq të bëhet. Pa zërin e juaj sot drejtësia do të ishte e mangët për të vërteten. Ju jeni shembulli më domethënës i liris dhe demokracisë të shtetit tonë. Përkulem para jush dhe besimit tuaj se drejtësia do të ngadhënjej!
IKD i falënderohem për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe kuptim plotë. IKD është sinonim i vlerave të demokracisë së drejtësisë dhe njohurive të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së shtetit të Kosovës.
Shoqërisë civile i falënderohem përjetësisht që mbrojti dhe kultivoj drejtësinë deri në fund. Shoqërisë tonë civile duhet t’ia ketë lakmi edhe shteti me demokracinë më të avancuar në botë! Kosova jonë ka me çka të mburret.
Nga ana ime ju premtoj dhe zotohem para jush që mishërisht do të angazhohem në Kuvendin e Republikës të Kosovës për avancimin e ligjshmërisë për rrjedhat e ardhshme të shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë. Zoti i bekoftë mediat e Kosovës! Zoti e bekoftë shoqërinë tonë civile! Zoti e bekoftë shtetin e Kosovës