Dronët nga SHBA-të, Hovenier: Jetike për luftimin e veprimtarive kriminale

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha sot në zyrtarizmin e donacionit të qeverisë amerikane për Policinë e Kosovës të 7 sistemeve të fluturakeve pa pilotë se këto pajisje do të jenë burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit për të luftuar veprimtaritë kriminale.

Jeffrey këto komente i bëri në ceremoninë e nënshkrimit të pranim-dorëzimit të donacionit me dronë për Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

“Këto pajisje do të sigurojnë mbikëqyrje dhe ofrojnë mbështetjen taktike dhe siguri të perimetrit për misionet policore…. Mund të monitorohen zona të ndjeshme të aktiviteteve tjera të paligjshme të kontrabandës”, tha ai.

Sipas tij, dronët po ashtu mund të ndihmojnë në mbledhjen e dëshmive përmes regjistrimit të pamjeve.

Ai tha këto pajisje mund të përdoren edhe për reagime më efikase ndaj incidenteve, për mbështetje të operacioneve të kërkim shpëtimit, menaxhimit të fatkeqësive etj.

Ambasadori po ashtu tha se dronët mund të përdoren edhe për të menaxhuar situata të rrezikshme, si në rastin e shpëtimit të pengjeve, gjatë ndjekjeve kur ka vozitje të shpejtë, etj.