Vjosa Osmani mbrëmë për herë të parë ka dhënë indikacione se mund ta lë Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila ia bëri me dije që mos të mbajë më qëndrime të ndryshme me partinë siç bëri këto ditë kur doli kundër rrëzimit të Qeverisë së Albin Kurtit edhe pse ky e shkarkoi Agim Veliu. Osmani mbrëmë përmendi një dritare të re në jetën e saj politike duke e goditur Isa Mustafën me deklarata që gjatë fushatës i kishte bërë kundër partive të ashtuquajtura PAN.
Vetëm pak muaj më parë ia kishin dhënë besimin për ta udhëhequr LDK’në në garën zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit ku Vjosa Osmanit iu desh të matej me Albin Kurtin.
Edhe pse është gruaja më e votuar dhe bëri që LDK të dalë e dyta në zgjedhje me diferencë të vogël ndaj VV’së, Osmanit ky rezultat nuk i është përkthyer me ndikim real në parti.
Timonin aty ende e mbajnë nënkryetarët tjerë që janë të grumbulluar rreth Isa Mustafës.
Osmani ka dalë humbëse veçmas në betejën e saj kundër Agim Veliut i cili nuk e ka miratuar asnjëherë qasjen e afërt të Osmanit ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Kur VV e shkarkoi Agim Veliun, partia u rreshtua përkrah këtij të fundit duke shpërfillur kërkesën e Osmanit që të mos prishej koalicioni me VV’në.
Por, në ditën kur në Kuvendin e Kosovës u votua për rrëzimin e Kurtit, Osmani dha indikacione se mund të largohet edhe pse këtë nuk e bëri në formë eksplicite duke folur për një dritare të re në jetën e saj politike.
Vetëm një natë para seancës ajo u paralajmërua nga partia që të mos dalë më me qëndrime të kundërta.
“Unë besoj se qeveria ndërmjet partisë time LDK’së dhe Vetëvendosjes ka qenë e zonja që ta luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe këtë e ka dëshmuar në këto pak ditë. Prandaj nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më tepër në një kohë në një kohë të rëndë për qytetarët, sepse konsideroj që duke e votuar mocionin ne e braktisim vullnetin e qytetarëve, pikërisht për ndryshimin që e kanë kërkuar. Të nderuar qytetarë, e di që ju sot ndjeheni të lodhur dhe të fyer dhe të jeni të sigurtë që kështu ndihem edhe unë, sepse zëri juaj sot nuk është dëgjuar, e unë dua që zëri i secilit qytetar që pret të shohë sesi do të vendosim ne, e cili do të jetë fati me të cilin do të zgjodhet nesër, të dëgjohet, prandaj, do të flasë me zërin që ma fuqizuat ju, duke pasur barrën e rëndë të udhëheqjen e kësaj seancë, sot nga kjo foltore, e nesër nga një dritare sado e vogël, dhe të jeni të sigurtë që do ta gjejë atë dritare, do të kërkoj ta kthejë dritën në dritaren e madhe të Kosovës”, deklaroi ajo.
Mbeti e paqartësuar se për cfarë dritare të re e ka fjalën nënkryetarja e LDK’së, e nëse është duke e shqyrtuar largimin nga partia.
Teksa Osmani nuk ishte shumë e prerë, LDK në një njoftim të saj e bëri shumë të qartë kërkesën ndaj saj dhe të tjerëve që votuan kundër prishjes së koalicionit.
“Nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të merr fund”, shkruhej në njoftimin ku paralajmërohej Osmani e dy deputetët e partisë së saj që thanë se do të votojnë kundër.
Njeriu i dytë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ishte edhe më i hapur.
Në ditën kur u shkarkua nga posti i ministrit, për shkak të deklaratës së tij për gjendje të jashtëzakonshme, Agim Veliu tha në emisionin Pressing në Televizionin 7 se thirrja e Osmanit që të mos votojë mocionin është tradhti. Sipas tij, nuk ka kuptim qëndrimi i saj në parti pas këtij veprimi.
“Qëndrimi i Vjosa Osmanit nuk është diçka e re në LDK. Ajo ka vepruar edhe më parë kështu, ka votuar edhe kundër kryeministrit të saj. Të jesh zyrtare e një subjekti si LDK dhe të punojë në një parti tjetër, nuk është tjetër përveçse tradhti kundër interesave të subjektit të saj. Nëse vazhdon përditë të bëjë thirrje kundër vendimeve të LDK-së dhe punon me të tjerët kundër neve, nuk e ka asnjë kuptim që ajo të qëndrojë në LDK”, tha Veliu.
LDK i dha fund përmes mocionit të mosbesimit bashkëpunimit me Vetëvendosjen të mërkurën në seancën e Kuvendit që zgjati mbi 12 orë. Momentalisht, Kosova po funksionin me qeveri në detyrë./GazetaExpress/