Drita ka shkruar historinë e futbollit kosovar, pasi bëhet skuadra e parë vendore që do të marrë pjesë në rrethin e tretë të Ligës së Evropës.
Kampioni në fuqi i Kosovës ka bërë një ndeshje të madhe në Shkup, përballë ekipit nga Maqedonia e Veriut, Sileksit.
Drita ka triumfuar në udhëtim me rezultat të pastër 0-2, në një ndeshje të dominuar gjatë 90 minutave.
Pjesa e parë përfundoi ashtu siç filloi me rezultat të barabartë, edhe pse iniciativa ishte në anë të bardhekaltërve.
Megjithatë me të filluar pjesa e dytë, Drita e gjeti golin e epërsisë kur shënoi qendërmbrojtësi Fidan Gërbeshi nga penalltia për 0-1.
Drita vazhdoi të dominonte në ndeshje, pasi takimi ishte përgatitur në mënyrë perfekte nga trajneri Nuhiu.
Vendasit mbetën me një futbollist më pak në fushë, kur në minutën e 78-të Grozdanoski u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.
Epërsinë numërike në fushë e shfrytëzoi për mrekulli kampioni kosovar, që pas një aksioni fantastik shënoi golin e dytë.
Hamdi Namani asistoi bukur tek kapiteni Ardian Limani i cili shënoi një gol edhe më të bukur për 0-2.
Kështu deri në fund Drita menaxhoi bukur me lojën dhe mori fitoren më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Drita shkruan historinë, pasi bëhet skuadra e parë kosovare që do të luaj në rrethin e tretë të Ligës së Evropës.
Në rrethin e tretë, gjilanasit do të përballen me gjigantin polak Legia Varshavë. /Telegrafi/