Drita ka shënuar fitore në kryendeshjen e javës së javës së 6-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke e mundur kampionin në fuqi, Ballkanin. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas është mbyllur me rezultat 2:0, në dobi të mysafirëve.
Ballkani e nisi ndeshjen pa disa prej futbollistëve titullarë, për shkak të ngarkesës së madhe në ndeshjet e UEFA Conference League dhe këtë e shfrytëzoi Drita, e cila e mbizotëroi lojën. Golat për gjilanasit i shënuan Marko Simonovski, në minutën e 31-të dhe Besnik Krasniqi, në minutën e 59-të nga penalltia.
Ndërkohë, Prishtina arriti të shkëpusë një pikë si mysafire në Gjilan, duke barazuar 1:1. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Gjilanit, me golin e Elton Cale, në minutën e 40-të, derisa një pikë për bardhekaltrit e kryeqytetit e siguroi Kreshnik Uka, nga penalltia, në minutën e 67-të.
E fitoren e parë në këtë edicion e ka siguruar Ferizaj, që para tifozëve të vet e ka mposhtur Llapin, me rezultat 2:1. Golat për ferizajasit i shënuan Astrit Fazliu, nga penalltia, në minutën e 29-të dhe Ramush Ramadani, në minutën e 42-të, teksa golin e vetëm për llapjanët e realizoi Ilir Krasniqi, në minutën e 73-të.

